Bashkëshorti i ministres dhe opozitarizmi

Postuar në 01 Gusht, 2015 13:17
Besnik Mustafaj

Në një nga seancat e fundit të sesionit parlamentar që sapo u mbyll, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike solli para Parlamentit një audio, e cila aty për aty rezultoi teknikisht e padëgjueshme. Por që u bë e dëgjueshme në media pak orë më vonë. Opinioni ynë publik mësoi kështu se Profesor Ligor Nikolla, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike në Universitetin Politeknik të Tiranës, kishte disa vërejtje lidhur me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Parlamenti ishte mbledhur pikërisht për të shqyrtuar dhe për të votuar këtë ligj. Një nga argumentet serioze, ku po mbështeteshin deputetët e opozitës për të pohuar mospajtimin e tyre me këtë ligj, ishte dhe kundërshtimi i gjerë i trupës akademike, si dhe të studentëve të universiteteve publike ndaj shumë neneve të ligjit.

Por vetëm mendimi i Profesor Ligor Nikollës u soll në seancë me emër dhe me zë.
Çfarë rëndësie të veçantë krahasuar me kolegët e tij paraqiste për cilësinë e debatit parlamentar në fjalë gjykimi i dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike? Për sa i përket përmbajtjes, ky gjykim nuk paraqiste asnjë rëndësi të veçantë. Përsa i përket formës, sjellja e tij me audiokasetë nga ana e kryetarit të Grupit Parlamentar Demokrat e shëmtoi debatin. Sepse Profesor Nikolla është në jetën private bashkëshorti i Zonjës Nikolla, ministre e Arsimit.
Një veprim i tillë i opozitës ka dy shpjegime të mundshme. Ose drejtuesit e Partisë Demokratike kanë bindjen se përputhja në mendime e bashkëshortëve lidhur me zhvillimet politike është e detyrueshme, ose ata deshën të bënin një diversion ndaj ministres, e cila ishte dhe mbrojtësja titullare e këtij projektligji. Të dy këto shpjegime përmbajnë simptoma shumë shqetësuese.

Në rast se opozita ka bindjen se burri me gruan, fëmija me prindin, vëllai me vëllanë duhet doemos të mendojnë politikisht njësoj, atëherë ajo është thjesht jashtë realitetit tonë pluralist. Për pasojë, kjo opozitë nuk është e aftë të mishërojë idealin më të lartë të një shoqërie të lirë për ta përsosur e pasuruar parreshtas pluralitetin e vet. Për më tepër, një bindje e tillë bie parimisht ndesh me arsyen historike të lindjes së Partisë Demokratike njëzet e pesë vjet më parë e që në thelbin e vet shprehte nevojën jetike për lulëzimin e individit përkundër homogjenitetit kolektiv e familjar. Partia Demokratike do të vinte në skenë për t’u dhënë fund njëherë e përgjithmonë kushtëzimeve poshtëruese të llojit të shprehur në mënyrë emblematike nga njëri prej themeluesve të lëvizjes komuniste në Shqipëri, në letrën që ai i dërgonte të fejuarës së vet e ku i thoshte “unë të dua ty, po të duash partinë”.

Në rast se opozita nxjerr në foltoren e Parlamentit njeriun e vet me mandatin më të rëndësishëm kombëtar, që do të thotë kryetarin e Grupit të vet Parlamentar, thjesht për të bërë diversion ndaj ministres që ka paraqitur një ligj me interes të madh për mbarë shoqërinë, siç është pa dyshim ligji për arsimin e lartë, atëherë kjo lloj opozite tregon një mungesë të theksuar pjekurie politike. Jo se nuk ekziston diversioni në teatrin e politikës. Por ky nuk shfaqet kurrë në veprimtarinë publike të një partie të madhe, e cila ka për mision të mishërojë në sytë e mbarë shoqërisë seriozitetin e alternativës së ardhshme qeverisëse. Rolin e diversionit e kanë zakonisht partitë e vogla, me rol periferik në zhvillimet e vendit, të cilat edhe tërheqin mbi vete vëmendjen efemere që shkakton një ilaritet i çastit.

Për hir të së vërtetës, do thënë se stili i bërjes politikë pa parime dhe me gjeste diversioniste erdhi duke u bërë gjithnjë e më mbizotërues në veprimtarinë e Partisë Demokratike në pushtet gjatë periudhës 2009-2013. Pra, ky stil është tashmë në trashëgiminë e afërt të kësaj partie. Por në trashëgiminë më të keqe. Është folur shpesh pas vitit 2013 për domosdoshmërinë jetike të një analize të ndershme rreth shkaqeve të disfatës së thellë të kësaj partie në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, disfatë që u përsërit edhe më dhimbshëm para pak javësh në zgjedhjet për pushtetin vendor. Kjo analizë nuk u bë dhe nuk po duken shenja se do të bëhet. Fakt është se vetë Basha e ka shmangur një analizë të tillë me pretendimin se ajo do të shndërrohej në një gjueti shtrigash.

Ka një keqkuptim të madh nga ana e Bashës në këtë rast. Në traditën e partive popullore europiane, pjesë e të cilave është institucionalisht edhe Partia Demokratike, “prerja e kokave” pas një humbjeje elektorale përmblidhet kryesisht me dorëheqjen e kryetarit që ka udhëhequr fushatën, gjë që Berisha e bëri. Më tej, analiza mbetet parimore. Njëri nga vëzhguesit më seriozë dhe më dashamirës të zhvillimeve brenda Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, duke përmendur dorëheqjen e Berishës dy vjet të shkuara, shkruante pak ditë më parë: “Ndonëse një epokë historike është mbyllur, një tjetër e re nuk po hapet”. Analiza do të duhej të kishte për qëllim të lartë thellësisht pastrimin e vetvetes nga trashëgimia e keqe e bërjes politikë, për t’i dhënë vetes një dinamikë të re mendimi dhe veprimi, për rrjedhim një vizion të ri me logjikë të vërtetë politike dhe me koherencë përkundër improvizimit rast pas rasti, që shohim. Ka ca që i kërkojnë Partisë Demokratike të bëhet më “radikale”, që do të thoshte më reaktive ndaj shumicës qeverisëse. Ka të tjerë e duan më “konsensuale”. Vërejtje të tilla përqendrohen në sjelljen publike të opozitës dhe jo në përmbajtjen e saj.

Në gjykimin tim as radikalizmi e as konsensualizmi nuk zgjidhin problemin për sa kohë mungon vizioni i ri me logjikën e vet politike dhe doemos me koherencën. Epoka e re, që kërkon Agron Gjekmarkaj për Partinë Demokratike dhe jo vetëm ai, nuk mund të njësohet me ndonjë gjueti shtrigash, të cilës i trembet aq shumë zoti Basha. Pastrimi i partisë nga trashëgimia e keqe nuk ka po ashtu asgjë të përbashkët me fshirjen e kujtesës historike të partisë. Përkundrazi, është rivlerësim dhe pasurim i kësaj kujtese. Kur zoti Basha ta kuptojë se çfarë është analiza e humbjes, që ne, demokratët e vjetër dhe shumica e shqiptarëve i kërkojmë të bëjë, atëherë nuk do të ketë më frikë nga gjuetia e shtrigave, që mund t’ia nxirrte partinë nga kontrolli, që do të thoshte shthurje e partisë. Askush ndër ne nuk e dëshiron një gjë të tillë. Nga ana tjetër, prurjet e reja në udhëheqjen e Partisë Demokratike, të cilët natyrshëm mishërojnë parapëlqimet e kryetarit Basha, kanë për detyrë të parë të tregojnë para demokratëve dhe mbarë shqiptarëve si e mendojnë ringritjen e Partisë Demokratike. Kriticizmi që i shohim t’i bëjnë qeverisë ka sigurisht vlerën e vet, por është krejt i pamjaftueshëm për t’u dhënë atyre statusin e politikanit.

Ky episod i shëmtuar i opozitarizmit me burrin e ministres më dha edhe një herë shkas ta ngre shqetësimin tim lidhur me nevojën e Partisë Demokratike për të dalë nga bataku. Por nuk mund të rri, megjithatë, pa e shprehur edhe shijen e keqe që më la reagimi i Profesor Nikollës. Ai u përfshi në ca shpjegime të padenja për një personalitet të shkencës e të botës akademike, që linin përshtypjen se ishte fort i trembur, shpjegime që u mbyllën me një lëvdatë si kjo që po citoj: “Ligji i Arsimit të Lartë është një ligj shumë i mirë dhe kam shumë besim se qeveria Rama do ta vërë në zbatim me eficiencë të plotë”. Ndërkohë që unë, dhe jo vetëm unë, do të kisha pritur prej tij t’i jepte kundërshtarit politik të gruas së tij një mësim të mirë, duke i kujtuar sovranitetin e tij të plotë si qytetar i lirë dhe i emancipuar për të menduar me kokën e vet. Vetëm përçmimi ndaj një polemike të tillë xhuxhmaxhuxhe do t’i shkonte një dekani me mendje të ushtruar gjatë me matematikë dhe fizikë, shkenca këto që nuk lënë vend për tronditje emocionesh të vogla.

Por edhe Profesor Nikolla me siguri ka pasur hallin e tij. Poeti i madh rus Evgenij Jevtushenko ka shkruar në rininë e tij, në fundin e viteve ’50, një poezi për Galileon. Është një poezi alegorike. Në një varg, të cilin po e sjell këtu lirisht me kujtesë, ai i thotë Galileos se edhe të tjerë para tij e kishin vënë re se toka rrotullohej, por ata kishin heshtur sepse kishin grua dhe fëmijë, që nuk donin t’i lëshonin në dorë të Inkuizicionit. Galileo nuk kishte grua as fëmijë. Profesor Nikolla po. Nuk më bën shpirti të uroj që shprehjen e besimit të tij shumë të madh te qeveria Rama të ketë shkuar në veshin e Kryeministrit. Sepse trembja e Profesorit nxjerr në pah gjithashtu një simptomë shumë të rrezikshme për demokracinë tonë e që lidhet kësaj here me ata që na qeverisin.

Panorama